Bizneset përballë rregullave të reja, çfarë ndryshon me regjistrin e pronarëve përfitues
Shqipëria po përgatit ndryshime në ligjin për Regjistrin e Pronarëve Përfitues, me synim forcimin e transparencës dhe verifikimit të pronësisë reale të bizneseve, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Projektligji, aktualisht në konsultim publik, synon të zëvendësojë sistemin aktual me një mekanizëm shumë më të avancuar për identifikimin dhe kontrollin e pronarëve përfitues të subjekteve juridike. Reforma është pjesë e përafrimit të legjislacionit shqiptar me Direktivën (BE) 2024/1640 dhe Rregulloren (BE) 2024/1624, që përbëjnë paketën e re evropiane kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Ndryshe nga sistemi aktual, projektligji nuk mjaftohet vetëm me deklarimin e pronarit përfitues nga vetë biznesi. Informacioni do të duhet të jetë i verifikueshëm, i përditësuar në mënyrë të vazhdueshme dhe i kontrollueshëm përmes ndërveprimit me regjistrat shtetërorë.
Kontrolli nuk do të vlerësohet vetëm nga aksionet
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është zgjerimi i konceptit të pronarit përfitues. Nëse ligji aktual fokusohet kryesisht te zotërimi i kuotave ose aksioneve, projektligji i ri merr në konsideratë edhe kontrollin real që një person ushtron mbi një kompani.
Ky kontroll mund të ushtrohet përmes marrëveshjeve ndërmjet palëve, ndikimit dominues në vendimmarrje, të drejtës për emërimin e drejtuesve apo mekanizmave të tjerë që i japin një individi kontroll efektiv mbi aktivitetin e subjektit, edhe kur ai nuk zotëron drejtpërdrejt shumicën e kapitalit.
Sipas projektligjit, kjo qasje synon të kufizojë përdorimin e kompanive "guackë", aksionarëve formalë dhe strukturave të ndërmjetme për fshehjen e pronësisë reale.
Zgjerohen subjektet që duhet të raportojnë
Projektligji zgjeron ndjeshëm fushën e zbatimit. Krahas shoqërive tregtare, detyrimi për deklarimin e pronarëve përfitues shtrihet më qartë edhe te organizatat jofitimprurëse, shoqëritë e thjeshta dhe struktura të tjera juridike.
Për herë të parë trajtohen në mënyrë të detajuar edhe trustet, organizimet ligjore të ngjashme me to dhe strukturat ndërkombëtare të pronësisë. Në këto raste do të kërkohet identifikimi i çdo personi fizik që përfiton ose ushtron kontroll në fund të zinxhirit të pronësisë, edhe kur ai kalon përmes disa shteteve ose kompanive ndërmjetëse.
QKB merr rol më aktiv në verifikimin e të dhënave
Projektligji forcon ndjeshëm kompetencat e Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB). Përveç administrimit të regjistrit, institucioni do të jetë përgjegjës për përpunimin e të dhënave, ndërveprimin me regjistrat shtetërorë, lëshimin e ekstrakteve dhe mbështetjen e mekanizmave të verifikimit.
Një risi praktike për bizneset është transferimi automatik i shumë të dhënave bazë nga Regjistri Tregtar dhe regjistrat e organizatave jofitimprurëse, duke reduktuar deklarimet manuale dhe barrën administrative. Megjithatë, kjo rrit rëndësinë e saktësisë së të dhënave në regjistrat bazë, pasi çdo pasaktësi do të reflektohet automatikisht edhe në regjistrin e pronarëve përfitues.
Bizneset do të kenë detyrime më të forta
Projektligji vendos standarde më të larta përgjegjësie për subjektet raportuese. Bizneset do të duhet të mbajnë vazhdimisht informacion të plotë, të saktë dhe të përditësuar mbi pronarët përfitues, ndërsa vetë pronarët do të kenë detyrim ligjor të bashkëpunojnë dhe të ofrojnë të gjithë informacionin e kërkuar.
Çdo ndryshim në strukturën e pronësisë ose të kontrollit do të duhet të pasqyrohet menjëherë në regjistër, duke e kthyer përditësimin e të dhënave në një detyrim të vazhdueshëm dhe jo thjesht formal.
Raportimi i mospërputhjeve bëhet i detyrueshëm
Një tjetër risi është krijimi i mekanizmit të raportimit të mospërputhjeve. Nëse një bankë, noter, kontabilist ose subjekt tjetër i detyruar konstaton se informacioni që disponon nuk përputhet me të dhënat e regjistrit, do të ketë detyrimin ta raportojë këtë mospërputhje.
Ky mekanizëm synon të mbajë regjistrin vazhdimisht të përditësuar dhe të besueshëm, duke përfshirë në proces edhe subjektet që kryejnë kontrolle të vazhdueshme në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Forcohen verifikimet dhe ndryshojnë rregullat e aksesit
Projektligji rrit standardet për identifikimin e pronarëve përfitues, duke kërkuar më shumë të dhëna identifikuese, përdorimin e burimeve të pavarura të informacionit dhe verifikimin përmes regjistrave publikë. Kur pronari përfitues nuk mund të identifikohet, do të regjistrohen personat që mbajnë pozicione të larta drejtuese, ndërsa për strukturat komplekse do të zbatohet një qasje e bazuar në analizën e riskut.
Ndryshojnë gjithashtu edhe rregullat për aksesin në regjistër. Autoritetet kompetente do të kenë akses të plotë për qëllime hetimi dhe mbikëqyrjeje, ndërsa subjektet e tjera do të duhet të provojnë interes të ligjshëm për të marrë informacion, në përputhje me standardet evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale.
Sanksione më të forta dhe më shumë transparencë
Projektligji parashikon masa administrative më të rrepta për subjektet që nuk regjistrojnë, nuk përditësojnë ose deklarojnë të dhëna të pasakta për pronarët përfitues. Mosregjistrimi fillestar, mosdeklarimi i ndryshimeve dhe mosmbajtja e informacionit të saktë do të konsiderohen kundërvajtje administrative.
Në të njëjtën kohë, ligji parashikon mekanizma ankimi dhe mundësinë e rivendosjes në afat kur vonesat janë shkaktuar nga arsye objektive, duke synuar një ekuilibër mes disiplinës ligjore dhe proporcionalitetit.
Sipas projektligjit, krijimi i një regjistri me të dhëna të sakta dhe të verifikuara pritet të rrisë transparencën e klimës së biznesit, të lehtësojë punën e bankave, institucioneve financiare dhe investitorëve, si dhe të forcojë përputhshmërinë e Shqipërisë me standardet evropiane në luftën kundër pastrimit të parave.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)